Dorëzohet Liverpool, Coutinho tek Barcelona për 160 milionë euro

06/01/2018 20:13

Liverpool është dorëzuar para superofertës së spanjollëve të Barcelonës, duke pranuar 160 milionë euro në këmbim të brazilianit Philippe Coutinho.

Philippe Coutinho do të jetë kështu transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit anglez dhe blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e futbollit. Por 25-vjecari ka thyer edhe rekordin e Barcelonës, që mbahej për blerjen e sulmuesit francez Ousmane Dembele, për të cilin u paguan 105 milionë euro.

Coutinho pritet që të hënën të bëjë edhe prezantimin zyrtar tek katalanasit e Barcelonës, ku nuk do të jenë edhe të paktë tifozët që do ta presin.

Arkat e tejmbushura të Barcelonës pas shitjes së bujshme në verë të Neymar, që vijon të mbajë vendin e parë për transferimin më të shtrenjtë, nuk e ka pasur aspak të vështirë që thyej barrierat e vendosura nga të kuqtë e Liverpool.

Kushtet e ndryshme të ofruara nga klubi katalanas u refuzuan me insistim nga klubi nga Merseyside, që tani i gëzohet pikërisht shifrave astronomike që kërkoi. Mendohet që në kontratë 120 milionë euro garantojnë shumën bazë të transferimit, ndërsa 40 milionët e tjerë do të jepen në varësi të bonuseve, pra përmbushjes së objektivave dhe arritjeve personale të futbollistit brazilian me ekipin e Barcës.

Top Channel