Po vjen grip ‘miqësor’, që nuk shkakton komplikacione

04/01/2018 14:40

Shfaqen rastet e para me grip në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se ka evidentuar raste të izoluara gripi, por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit nuk qarkullon AH3N2, i cili shkaktoi epidemi vitin e kaluar.

“Edhe në Shqipëri, ashtu sikurse në vende të tjera në Europë, këtë vit po qarkullon virusi B, i cli nuk njihet për komplikacione të rënda, si dhe virusi AH1N1”, u shpreh Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, në Institutin e Shëndetit Publik.

Përveç virusit të gripit, në popullatë po qarkullojnë shumë viroza respiratore, të cilat kanë shkaktuar edhe komplikacione .

“Vëmë re që ka viroza si rotaviruse, që shkaktojnë infeksione respiratore tek të vegjlit dhe të rriturit”, thotë Bino.

Ekspertët e shëndetësisë sugjerojnë përdorimin e sa më shumë lëngjeve dhe larg antibiotikëve .Por nga ana tjetër rekomandojnë ende që popullata të vaksinohet.

“Jemi në kohë ende për vaksinën. Deri tani kemi pasur raste të rënda me komplikacione të infeksioneve repsiratore, por jo nga gripi”, shprehet Silva Bino.

Një vit më parë, për shkak të epidemisë së gripit, humbën jetën 16 persona, të cilët vuanin nga sëmundje kronike, por që virusi i gripit çoi në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.

Top Channel