Përçarja në Vetëvendosje, analistët: Priten zhvillime

04/01/2018 12:21

Konferencën e saj për shtyp të një dite më parë, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, një prej 4 ligjvënësve të kësaj lëvizjeje të dënuar me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e fokusoi vetëm tek zhvillimet në sallën e gjyqit e tha se vendimi do të apelohet.

Por, si ajo, ashtu dhe kolegia Donika Kadaj-Bujupi i anashkaluan komentet mbi dorëheqjen e Visar Ymerit nga të gjitha funksionet brenda partisë. Kjo i ka nxitur analistët të hedhin idenë e një ndarjeje të mundshme të VVE-së dhe krijimin edhe të një partie të re social-demokrate. Haxhiu tha vetëm se lidhur me këtë çështje, të enjten do të mblidhet kryesia dhe do të dilet me një qëndrim. Për analistin Astrit Gashi, përçarja e Vetëvendosjes flet për premisat e krijimit të një partie të re.

Sipas tij, ende nuk dihen pasojat në elektorat, pasi varet se si do të pozicionohet Shpend Ahmeti. Në këndvështrimin e Gashit, nëse ndarja do të jetë e thellë, Vetëvendosje do ta ketë problem rezultatin që e ka pasur në 11 qershor të vitit të kaluar.

Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dha vendimin ndaj 4 deputetëve të Lëvizjes Vetevendosja, duke i dënuar ata me kushtin që për dy vjet të mos kryejnë ndonjë vepër penale. Katër deputetët, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur u dha vendimi, pasi, siç janë shprehur vetë, “refuzojnë të marrin pjesë në procese gjyqësore me motivim politik”.

Top Channel