Haradinaj justifikohet për pushimet luksoze në Zvicër

04/01/2018 15:14

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përpjekur të frenojë spekulimet mbi pushimet e tij luksoze në Zvicër, duke thënë se ato i ka paguar nga të ardhurat e veta.

Qëndrimi në Zvicër, në atë që cilësohet si fshati turistik më i shtrenjtë i botës, i ka kushtuar Haradinajt 7000 euro, ose të paktën ai këtë pretendon.

Shefi i Ekzekutivit kosovar ka qëndruar së bashku me familjen në hotelin “Carlton”, në Sant Moritz. Bazuar në çmimet marramendëse të tij, pushimet e Haradinajt, sipas shtypit vendas, duhet të kishin kushtuar mbi 80 mijë franga zvicerane, apo 68.000 euro.

Zyra e tij deklaroi se kryeministri nuk ka qenë me axhendë shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk ka pasur asnjë kosto materiale. Më herët ai pat deklaruar se në Zvicër kishin qëndruar vetëm një natë.

Top Channel