Lagjet historike të Gjirokastrës kanë shumë shtëpi gjysmë rrënoja. Banorët thonë se degradimi ka ardhur prej mos investimit, braktisjes dhe largimit të pronarëve.

Kostoja e ndërtimit në lagjen Manalat në Gjirokastër është 2 herë më e lartë se në zonën e re të qytetit, thotë Lulëzim Majko që ka restauruar së fundi çatinë e shtëpisë së tij qindravjeçare. Kostoja rritet edhe për banorët e skajeve të sipërme të qytetit, ku transporti i materialeve të ndërtimit kryhet ende me kafshë pune.

Mure rrënojash 5-6 metra të lartë ngrihen kërcënueshëm mbi sokaqet e ngushtë të lagjes. Banesat Gorica, Çami dhe Baboçi të rrënuara dhe braktisura prej vitesh rrezikojnë të shemben mbi rrugët krah tyre. Përveç banorëve dhjetëra nxënës të shkollës “Naim Frashëri” i përshkojnë këto segmente çdo ditë.

1/3 e banorëve janë larguar thotë Edmond Idrizi një tjetër banor i vjetër i Manalatit. Njerëzit nuk kanë mundësi ekonomike për të restauruar shtëpitë shekullore dhe duket se rrënimi është një fenomen që nuk po ndalet.

Anika dhe familja e saj jeton krah njërës prej shtëpive gjysmë të shkatërruara në këtë lagje. Ajo thotë se rreziku rritet pas çdo dite me shi por më shumë ajo i trembet tërmetit.

Më shumë se 200 shtëpi monumente të kategorisë së dytë dhe të parë në Gjirokastër janë shembur ose janë shpallur të pabanueshme gjatë 2 dekadave të fundit.

Ritmi i restaurimeve që nisi këtë verë dhe po vijon ende në pazarin historik dhe disa komplekse banesash ka sjellë impakt pozitiv dhe një imazh të ndryshuar të Gjirokastrës si destinacion turistik, por për lagjet e vendosura pas kalasë, ritmi i degradimit është 2 herë më i lartë se ai i restaurimeve.

Top Channel