Masat për ndërrimin e viteve. Policia: Jo alkool, celular dhe shpejtësi tej normave

31/12/2017 13:51

Policia e Shtetit ka shtuar efektivët dhe masat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në natën e ndërrimit të viteve.

Plani i masave që i është shpërndarë të gjitha drejtorive të policisë në qarqe parashikon në mënyrë specifike masa për Policinë Rrugore dhe atë të rendit, të cilët do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit.

Erion Ahmeti, drejtori i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, ka dhënë apelin e tij për drejtuesit e mjeteve: “Policia Rrugore nuk do të tolerojë shkeljen e rregullave, tejkalimet e shpejtësisë, përdorimin e celularit si dhe përdorimin e alkoolit”.

Ndërsa Albert Dervishi, drejtori i Rendit Publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ka garantuar qytetarët për gatishmërinë e policisë, jo vetëm për mbarëvajtjen e festimeve, por edhe në garantimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë.

“Në shkallë vendi janë planifikuar në natën e ndërrimit të viteve punonjës policie në çdo qytet për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, pranë lokaleve dhe restoranteve të cilat do të organizojnë aktivitete të ndryshme gjatë festës së fundvitit. Subjektet e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike vazhdojnë me shërbime të përforcuara masat për sigurimin e objekteve si banka, institucione të tjera, hidrocentrale, depo uji etj.”, tha Dervishi.

Top Channel