Gafa që zbulon kalimin e Coutinho te Barcelona

31/12/2017 13:34

Një gafë në marketing apo ndoshta një lëvizje e qëllimshme? Ditët e para të janarit do të zbulojnë nëse marrëveshja më e bujshme e vitit 2018 në futbollin europian do të vijë për shkak të pakujdesisë së sponsorit.

Barcelona kërkon prej muajsh brazilianin Philippe Coutinho dhe për shërbimet e tij i ka ofruar Liverpulit 150 milionë euro. Por, ofertat e skuadrës katalanase janë kthyer mbrapsht me radhë nga ekipi anglez, që duket se do të dorëzohet në merkaton e këtij dimri. Në faqen zyrtare të kompanisë Nike u zbulua një njoftim komercial që e cilëson të përfunduar kalimin e mesfushorit në Spanjë.

“Philippe Coutinho është gati të ndezë stadiumin “Camp Nou”. Bli fanelën tënde të personalizuar me emrin e magjistarit”, thuhet në njoftimin e sponsorit teknik të Barcelonës, që u zhduk në harkun e pak minutave. Shumëkush e quan këtë zëvendësimin e denjë të Neymar te skuadra “blaugrana”, por deri në një marrëveshje finale mes palëve, ka vetëm hamendësime dhe asgjë zyrtare.

Nuk dihet ende oferta e fundit e Barcelonës për asin brazilian, por në pritje të lëvizjes më të bujshme që do të ndezë vitin 2018, Coutinho ka nisur ndërkohë edhe të kërkojë një shtëpi në Barcelonë. Braziliani ka shënuar 12 gola në 20 ndeshje me Liverpulin këtë sezon, por mbetet i vendosur të largohet drejt kampionatit spanjoll.

Top Channel