Viti 2017 nisi më pozitiv për ekonominë. Në tremujorin e parë prodhimi kombëtar u zgjerua me mbi 4 për qind i udhëhequr nga investimet, veccanërisht ato të huaja prej gazësjellësit tap dhe kaskadës së devollit.

Momenti pozitiv i ekonomisë vazhdoi edhe në tremujorin e dytë, pavarësisht krizës së thellë politike që përfshiu vendin. Rritja ekonomike rezultoi sërish mbi 4 për qind, këtë herë e ndihmuar edhe nga shpenzimet e larta të qeverisë gjatë fushatës elektorale.

Zgjidhja e krizës politike dhe formimi i qeverisë së re u duk se do i jepte një tjetër dozë optimizmi ekonomisë. Por në fillim të verës, Shqipëria u përfshi nga një tjetër krizë, këtë herë natyrore.

Thatësira e gjatë shteroi rezervën hidrike të vendit duke goditur rëndë sektorin energjetik. Bilancet e tre kompanive publike të energjisë u tronditën nga importet e larta, ndërkohë që qeveria u detyrua të japë mbi 50 milionë euro nga buxheti i shtetit për të blerë energji nga jashtë.

Kriza energjetike ngarkoi një faturë të kripur për Shqipërinë, plot 200 milionë euro ose gati sa 2 për qind e prodhimit kombëtar. Shpenzimet e larta për energjinë ishin një goditje e fortë për rritjen ekonomike, e cila në tremujorin e tretë u ngadalësua ne 3.55 për qind. Por pavarësisht goditjes nga kriza energjetike, ekonomisë i erdhi në ndihmë një sektor tjetër, turizmi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar shtator, ekonomia shqiptare përfitoi mbi 1.3 miliardë euro nga turizmi ose mbi 10 për qind e prodhimit kombëtar.

Të ardhurat nga turizmi kompesuan pasojat e krizës energjetike, ndërkohë që zhvillime pozitive pati edhe në degën tjetër të sektorit të jashtëm, atë të tregtisë. Pas dy vitesh rënie, eksportet në vitin 2017 u rritën me rreth 14 për qind, të udhëhequra nga materialet e ndërtimit dhe industria e fasonit.

Por ndonëse në tërësi 2017 rezultoi viti më i mirë për ekonominë gati në një dekadë, sërish rritja ekonomike mbetet poshtë niveleve të para krizës, ndërkohë që një tjetër shqetësim i madh, mbetet pabarazia e ndikuar edhe nga politikat që favorizojnë një grusht biznesesh.

Rasti më flagrant janë koncesionet të cilat realizojnë fitime marramendëse fal kontratave të dhëna nga qeveritë. Edhe këtë vit, koncesionet kryesore fituan dhjetra milionë euro, ndërkohë që disa prej kontratave janë përfshirë nga skandale rryshfetesh, sic ishte rasti i koncesionit të skanimit, për të cilën mediat amerikane shkruajnë se është paguar mbi 100 milionë euro rryfshfet.

Pabarazia është thelluar edhe nga evazioni fiskal i bizneseve të mëdha, shpesh me bekimin e qeverisë, sic ishte rasti i ARMO-s. Vetëm në vitin 2017, rafineria e shfrytëzuar nga kompania IRTC ka shmangur 60 milionë euro taksa, ndërkohë që ka përfituar qindra milionë euro të tjera falje nga amnistia që qeveria miratoi në maj.

Politikat që favorizojnë një grusht biznesesh dhe koncesionet mbeten ndër pikëpyetjet më të mëdha për ekonominë. Në 2018-ën qeveria pritet të nënshkruajë të paktën edhe 5 kontrata të tjera koncesionare, veccanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe spitaleve, të cilat do të marrin të tjera para nga buxheti.

Për të kompesuar efektet tek financat e shtetit, qeveria vazhdon të kërkojë më shumë të ardhura duke rritur taksat. Masat më të fundit ishin ulja e pragut të tvsh-së dhe rritja e taksës së pronës, të cilat hyjnë në fuqi që nga 1 janari i 2018-ës.

Top Channel