Ngadalësohet rritja ekonomike, INSTAT: Ndikoi kriza energjetike

29/12/2017 15:18

Veç pasojave negative në buxhet, kriza energjetike ka dëmtuar edhe rritjen ekonomike. Instituti i Statistikave raportoi se pas dy tremujorësh me rritje 4 për qind, prodhimi kombëtar u rrit më ngadalë në tremujorin e tretë.

“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2017 vlerësohet me rritje prej 3,55 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2016”, shprehet Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e INSTAT.

Përveç energjisë, sektorët e tjerë kanë shënuar rritje, veçanërisht turizmi, ndërtimit dhe sektori i shëndetësisë.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me +0,90 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,89 pikë përqindje, Ndërtimi me +0,68 pikë përqindje”, thotë drejtoresha e INSTAT.

Nga krahu i kërkesës, ekonomia është ndihmuar nga rritja e konsumit, ndërsa rritja e investimeve është ngadalësuar nga nivelet dyshifrore në tremujorin e parë dhe të dytë.

“Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,25 %”, shprehet Ibrahimaj.

Në total, si nëntë mujor prodhimi kombëtar është zgjeruar me 3.87 për qind krahasuar me vjet, një ritëm në linjë me objektivin e qeverisë dhe FMN për një rritje 3.9 për qind.

Top Channel