Ekspertët ngrenë alarmin se rënia dramatike e lindshmërisë kërcënon seriozisht të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

“Rritja natyrore e popullsisë nën 2.1 për qind nga studimet në të gjitha vendet në zhvillim kthehet në një pengesë për zhvillimin e vendit, kthehet në pengesë për mungesën e fuqisë punëtore, kthehet në pengesë sepse rritet kostoja e punës dhe pasojat për ekonomike dhe sociale rriten”, shprehet Arben Malaj, ekspert i ekonomisë.

“Po humbim dhe mundësinë për të zhvilluar degë intensive të ekonomisë, për të pasur burimet njerëzore të nevojshme për të zhvilluar paralelisht shumë degë shumë sektorë, veçanërisht sektorët e shërbimeve, disa sektorë të tjerë intensiv ku kërkohet numër i lartë i fuqisë punëtore”, thotë Ardian Civici, President i UET.

Vitin e kaluar numri i lindjeve ra në nivelin më të ulët që nga 1930-a. Veç rritjes ekonomike, ky fenomen vë në rrezik edhe financat e shtetit.

“Deficiti i skemës së pensioneve dhe deficiti i skemës sociale do të rritet, pasi është rritur jetëgjatësia, është rritur pjesa e njerëzve që jetojnë më gjatë. pra pjesa që konsumon paratë publike bëhet më e madhe ndërsa pjesa që kontribuon bëhet më e vogël”, thotë Malaj.

Por si mund të ndalet ky rrezik? Ekspertët sugjerojnë një sërë masash.

“Politikat e kujdesit për nënat e reja, fleksibiliteti për vendin e punës, fleksibiliteti për orarin e punës, ngritja e sistemit të çerdheve dhe kopshteve në të gjithë vendin, dhënia e një ndihme të menjëhershme tek nënat e reja që ato të mos ndihen të braktisura”, shprehet Malaj.

“por mbi të gjitha një situatë më të qetë ekonomike dhe politike sepse mendoj që në shumicën e rasteve përveç presionit ekonomik është dhe një presion social shumë i madh që i detyron familjet shqiptare të bëjnë pak fëmijë”, shprehet Ardian Civici.

Top Channel