UEFA: 2017, viti i Real Madrid

26/12/2017 13:30

Reali i Madridit do të mbyllë vitin 2017 në krye të klasifikimit të UEFA që e ka përpiluar atë duke u bazuar në rezultatet e klubeve në 5 vitet e fundit.

Reali i Madridit fitues i 3 edicioneve të Ligës së Kampioneve gjatë këtyre 5 viteve, është në krye dhe i shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit e tij. Në vendin e dytë gjenden rivalët e përhershëm të Barcelonës, ndërsa në vendin e tretë është Bayern Munich.

Klasifikimi vijon me një tjetër skuadër spanjolle, Atletico Madrid që ka lënë pas italianët e Juventusit, Paris Saint Germain, Sevillan. Dhjetëshja e klubeve më të mirë për vitin 2017 sipas UEFA mbyllet me Manchester City, Borussia Dortmund dhe Benfica.

Por jo vetëm kaq, UEFA ka përpiluar edhe një klasifikim për skuadrave përfaqësueses duke u bazuar te koeficientët. Kreun e renditjes e mban skuadra kampione e Botës në fuqi, Gjermania, e ndjekur nga Portugalia, kampione e Evropës në vendin e dytë dhe Belgjika në vendin e tretë.

Klasifikimi për kombëtaret vijon me Spanjën në vendin e katërt, Francën, Anglinë dhe Zvicrën. Dhjetëshen e kombëtareve më të mira të Evropës për 2017 e mbyllin Italia, Polonia dhe surpriza Islandë.

Top Channel