Sportist dhe bamirës. Portieri feston me fëmijët jetimë

25/12/2017 15:33

Në një ditë feste si kjo e Krishtlindjes, njerëzit gjithmonë e më tepër përpiqen të jenë sa më humanë dhe më të ndërgjegjshëm për gjithçka dhe për të gjitha shtresat e shoqërisë.

Gentian Selmani, portieri i skuadrës së Laçit, por edhe i ekipit kombëtar U21, ka zgjedhur të festojë ndryshe dhe me një nga shtresat që ndoshta ka më shumë nevojë për të festuar në ditë të tilla festash. Edhe pse vetëm 19 vjeç, ai ka vendosur të gëzojë fëmijët e qëndrës “Zyber Hallulli” dhe disa fëmijë të qendrës së zhvillimit “Pëllumbat” me disa dhurata.

“Ndihem shumë i emocionuar dhe shumë i lumtur që arrita t’i gëzoj sadopak këto fëmijë. Shpresoj që e gjithë familja e futbollit t’i ndihmojë këta fëmijë që shumica e kanë pasion futbollin”, shprehet portieri.

Një shembull për fëmijët dhe shoqërinë e kanë konsideruar drejtoreshat e të dyja qendrave të trajtimit të fëmijëve gjestin e portierit të Superligës.

Irma Shtini, drejtoreshë e “Zyber Hallullit”, tha: “E falenderoj shumë Gentianin për gjestin e tij kaq human. Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për modele të mira si Gentiani”.

“Në emër të qendrës sime të zhvillimit, e falenderoj sepse është kaq i ri dhe jep një mesazh kaq të bukur”, deklaroi Anila Shenjtolli, drejtoreshë e Qendrës për Fëmijë me Aftësi Ndryshe.

Top Channel