Marjeta Ljarja, një rrëfim për karrierën, familjen dhe dashurinë me aktorin Rikard Ljarja

25/12/2017 18:26

Marjeta Ljarja, e ftuar në studion e “Pasdite në Top Channel”, tregoi se fillimisht nuk donte të bëhej aktore.

“Unë jam bërë aktore jashtë vullnetit tim, por rastësia më ndryshoi rrjedhën e jetës. Unë kisha ëndrra të tjera, doja të bëhesha inxhiniere ndërtimi. Kemi jetuar në një sistem që drejtimin ta jepnin të tjerët, por nuk më doli keq karriera në aktrim”, u shpreh Marjeta.

Aktorja e famshme shpjegoi edhe arsyen pse nuk është më aktive në kinematografi: “Kanë ndryshuar kërkesat dhe ndoshta nuk i plotësoj këto kërkesa. Ne si aktorë nuk ftohemi vetë, por na ftojnë”.

Marjeta foli edhe mbi martesën e saj me Rikard Ljarjën: “Për mua ai ishte thjesht një aktor me të cilin bëja shkollën dhe pasi të mbaroja shkollën do të largohesha. Kjo lirshmëri e imja ndoshta më bëri interesante në sytë e tij. Ne të dy jemi natyra që plotësojmë njëri-tjetrin. Unë jam ajo e ëndrrave të thjeshta, ndërsa ai me atë thellësinë e tij, me dashurinë për librin dhe pikturën”.

Top Channel