Roma, e vogël me të mëdhatë

24/12/2017 18:35

Roma nuk arriti të marrë qoftë edhe një pikë në “Alianz Stadium” të Torinos duke humbur 1-0 ndaj kampionëve në fuqi e duke u rikonfirmuar edhe një herë këtë sezon, e vogël me ato skuadra që konsiderohen të mëdha.

Rivalët që i paraprijnë në renditje Juventus, Inter dhe Napoli e kanë mundur ekipin kryeqytetas.Në Torino pati rivalitet dhe rezultati mbeti i paqartë deri në fund.

Romës i mungoi konkretizimi dhe pak fat, sidomos në tranversën e Florencit, që ishte dhe goditja e 14 në tra këtë sezon. Skuadra e trajnerit Di Francesko vuajti disavantazhin për herë të parë në transfertë këtë sezon, një e dhënë që tregon se verdhekuqtë së bashku me Sasuolon dhe Milan, janë nga të vetmet ekipe që nuk janë të aftë të reagojnë në vështirësi.

Goli i marokenit Benatia’ që sanksionoi dhe humbjen, erdhi nga zhvillimet e një goditjeje këndi. Ky ishte goli i katërt radhazi që formacioni kryeqytetas vuan nga nisja e një topi inaktiv.

Roma tentoi të reagonte por e bëri vonë, madje 7 nga 14 goditjet në total të ekipit mik, erdhën vetëm pas minutës së 80. Nëse këtyre i shtohet edhe problemi i boshnjakut Edin Xheko që nuk shënon prej dy muajsh, atëherë kryeqytetasit do ta kenë vërtet të vështirë të rikthejnë titullin pas kaq vjetësh në stadiumin Olimpiko.

Top Channel