Kufiri Kosovë-Mali i Zi, Limaj: Shënimi i vijës, në janar

24/12/2017 10:39

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj deklaroi se çështja e demarkacionit me Malin e Zi, e kthyer në një ngërç për vendin, do të marrë zgjidhje në janar. Muajin e ardhshëm, – u shpreh Limaj, – ne do të dërgojmë në Kuvend një variant të paktit të pranueshëm për të gjithë.

“Demarkacioni do të përmbyllet. Unë pres që muajin e ardhshëm të shkojmë dhe ta kemi shumicën në Parlamentin e Kosovës për të përmbyllur këtë çështje. Demarkacioni do të jetë një variant, i cili do të respektojë interesat e Kosovës dhe të Malit të Zi. Ne po punojmë që kur të shkojmë në Parlament, të gjithë të duartrokasin variantin që do të dërgojmë. Do të duartrokitet nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga miqtë tanë. E përfundimisht ta mbyllim këtë temë”, tha Limaj.

Ne po punojmë në këtë drejtim, duke i respektuar interesat e të dyja vendeve, me qëllimin që nga ky proces askush të mos dalë i humbur, shtoi më tej numri dy i ekzekutivit kosovar.

Për mbylljen e çështjes së demarkacionit këmbëngulin si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Europian, i cili e ka artikuluar qartë në më shumë se një rast, që ky vazhdon të mbetet kushti kryesor për liberalizimin e vizave. Kundërshtarët e ujdisë këmbëngulin se ajo është e padrejtë, pasi i merr Kosovës mbi 8.200 hektarë tokë.

Top Channel