Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e Nezar Seitit, i njohur si financier i grupit Habilaj, por ndaj tij ka edhe një mase sigurie nga Gjykata e Krimeve të Rënda e cila mund të pengojë dorëzimin e tij para drejtësisë Italiane.

Ekstradimi është kërkuar edhe nga vetë Seiti pasi ai nëpërmjet avokatit të tij është shprehur se nuk beson tek drejtsia shqiptare ndaj kërkon që procesi ndaj tij të zhvillohet në vendin fqinj. Përveç gjykatës së krimeve të rënda në Shqipëri për Seitin edhe gjykata e Katanias ka caktuar masën e sigurisë “ arrest me burg ”.

Në dosjen e hetuesve italian Nezar Seiti, cilësohet si një person kyç që ka dijeni mbi shtrirjen dhe funksionimin e grupit “Habilaj” në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Italisë. Seiti u arrestua në Babicë të Vlorës në një operacion ku u kapën 4 ton kanabis.

Sipas burimeve ai nuk mund të ekstradohet në Itali pa përfunduar më parë llogaritë me drejtësisë shqiptare , në një kohë kur edhe prokuroria e Katanias e ka marrë të pandehur.

Top Channel