Stuhia e parë dimërore e stinës, pasi ka sjellë reshje të dendura bore në zonat malore të Greqisë qendrore dhe jugore pritet të vazhdojë edhe gjatë mbrëmjes të së shtunës dhe gjithë ditës së diel në zonat e tjera të vendit.

Reshjet e borës shkaktuan probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve në gadishullin e Peloponezit, ne Halidhiki, në Evia si dhe në zonat veriore të kryeqytetit grek, aty ku pranë vendit të quajtur Martino dhjetëra automjete janë bllokuar në rrugën nacionale.

Sipas shërbimit sinoptik kombëtar moti do të vazhdojë të përkeqësohet në orët e ardhshme dhe do të ketë përsëri reshje bore në zonat qendrore dhe lindore të vendit, në Prefekturën e Selanikut si dhe në ishujt e Egjeut. Organet e policisë rrugore paralajmërojnë të gjithë ata që udhëtojnë me rastin e festës së Krishtlindjeve që të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të pajisur me zinxhirë për automjetet e tyre.

Por gjithashtu probleme të mëdha do të ketë në portet e vendit për shkak të erërave të fuqishme që mbizotërojnë në dy ditët e fundit, ndaj dhe organet portuale kanë anuluar lundrimin e anijeve në disa porte. Në mesditën e se shtunës pas një operacioni gjigant nga Marina Detare janë shpëtuar 12 marinarë të anijes cisterne “Little Seyma” që ka ngecur në zonën bregdetare shkëmbore pranë ishullit turistik të Mikonos.

Top Channel