E kanë quajtur Rilindasi i Fundit poetin e prozatorin me talentin e rrallë, veçanërisht në tregimet për fëmijë.

I lindur në vitin 1870 në Dibrën e Madhe të asaj kohe, sot Mavrova nën administrimin maqedonas, figura e Josif Bagerit është pak e njohur për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndonëse kontributi i tij në arsimin dhe gjuhën shqipe para shpalljes së pavarësisë është i madh.

Ndaj, mjeshtri i madh Kujtim Gjonaj fikson në celuloid kontributin e këtij patrioti të harruar përmes një dokumentari mbi jetën dhe veprën e tij.

“Me realizimin e këtij filmi unë plotësova një dëshirë timen, një hobi timin, por edhe një nevojë utilitare për racën shqiptare, për kombin shqiptar, për të patur në ekran disa prej figurave më të mëdha të trevave shqiptare”, tha Gjonaj.

Gjithçka nisi nga kërkimi për t’i gjetur varrin të vetmit patrioti shqiptar që nuk e ka një të tillë. Më pas, gjurmë pas gjurme, Gjonaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë film kanë zbuluar biografinë e plotë të patriotit.

“Mendoj se është një figurë e madhe e Rilindjes sonë kombëtare, një figurë e lënë disi në harresë për fatin e keq, sepse mjaft territore të Shqipërisë kaluan në administrimin e territoreve të tjera dhe për fatin e keq ky mbeti në administrimin e shtetit fqinj maqedonas, një motiv ky për të sjellë këtë figurë interesante në historinë patriotike të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shprehet Gjonaj.

Top Channel