Ajo që është cilësuar si monedha e së ardhmes, përjetoi një shkundje negative në bursë këtë të premte. Një “futures” e Bitcoin ra me rreth 15 për qind në krahasim me pikun e saj, që e regjistroi të dielën.

Sipas CoinDesk Bitcoin Price Index, aksionet e Bitcoin një kontratë “futures”u hap të premten 12,504 dollarë. Është e paqartë se çfarë e ka shkaktuar këtë rënie drastike në vlerë të monedhës digjitale, por analistët thonë se tregu tashmë po popullohet me “kripto-monedha” të tjera që po e rivalizojnë.

Bitcoin kaloi testin e parë në Wall Street para dy javësh. Valuta dixhitale më e madhe dhe më e famshme në glob bëri debutimin në bursa përmes kontratave të së ardhmes, apo siç njihen në botën e financave “futures”, të tregtuara në Bursën e Çikagos.

Çmimi i një kontrate Bitcoin per 18 janarin, shkoi nga 15.500 dollarë në mbi 17.800 dollarë, një rritje gati me më shumë se njëzet pikë përqindjeje. Në pak minuta siti Chicago Board Options Exchange u bllokua nga mbingarkesa.

“Futures” janë kontrata ku një blerës dhe një shitës bien dakord për çmimin që produkti do të marrë në të ardhmen, ka për të gjitha llojet e lëndëve të para. Duke blerë një “Futures” vihet bast mbi ecurinë e produktit dhe ne këtë rast investitorët bëjnë një parashikim se sa do të jetë vlera e Bitcoin pas disa kohësh.

Bitcoin është një monedhë digjitale, e gjeneruar përmes një algoritmi kompjuterik, nuk ekziston fizikisht, dhe nuk ka asnjë autoritet qeverisës apo Bankë Qendrore që rregullon funksionimin e Bitcoin-it. Përmes një sistemi të sofistikuar vlera e Bitcoin është përcaktuar nga kërkesë-oferta në llogaritë që mund të hapen në internet, pra praktikisht një treg i parregulluar.

Që nga emetimi i parë në rrjet në 2009-n e deri disa vite më pas, me 1 dollarë mund të blije me shumë se 3 bitcoin. Koha kaloi dhe kjo monedhë dixhitale tërhoqi pas vetes mjaft persona që i besuan, si alternativë për të investuar paratë, njësoj sikur të blinin ar apo valutat të tjera reale. Kthesa më e madhe këtë vit, kur vlera e Bitcoin është rritur me më shumë se 1600 për qind.

Top Channel