Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 32 vota buxhetin e vitit të ardhshëm. Për vitin 2018, investimet e parashikuara nga Bashkia e Tiranës për t’u zhvilluar në kryeqytet do të pësojnë një rritje prej 16%, krahasuar me vitin aktual. Ndërkohë opozita nuk mori pjesë në votim.

Gjatë prezantimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm, Veliaj listoi investimet të cilat do të prekin jo vetëm zonën e qëndrës, por edhe ato në periferi, ndërsa një vëmendje të posaçme do të marrë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Me të drejtë buxheti i vitit 2018 mund të quhet buxheti i të gjithë qytetarëve, pasi përfshin të gjithë territorin e BT nga qendra deri në periferinë më të largët rurale të Bashkisë duke shënuar rritje në të gjithë programet e zhvillimit”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai tha se falë miradministrimit, për të tretin vit rresht, buxheti vjen në rritje. “Fakti që ky është viti i tretë rresht që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër. Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin”, deklaroi Veliaj.

Në fjalën e Tij, Veliaj prezantoi edhe bilancin e punëve të bëra gjatë këtij viti nga Bashkia e Tiranës. Kreu i Bashkisë tha se ky vit që po mbyllet ka qenë padyshim një vit shumë i mirë për kryeqytetin.

“Tirana është sot një qytet krejtësisht i transformuar në raport me atë qytetin e fjetur e me një pafundësi problemesh që gjetëm në 2015. Ky është një fakt, që e shohin të parët qytetarët e Tiranës. Besoj se kjo është një arsye për t’u ndjerë mirë që të gjithë për perspektivën e ekonomisë së qytetit”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se gjatë 2017 numri i turistëve që vizituan Tiranën u rrit 2.5 herë krahasuar me 2016, ndërsa shprehu bindjen se viti 2018 do të shohë një rritje akoma më spektakolare të këtij sektori si rezultat i një pune shumë të madhe që është bërë në çdo anë e kënd të kryeqytetit, duke filluar nga Sheshi Skënderbej në zemër të qytetit e duke vazhduar deri në skajin më të largët të Tiranës rurale, që kanë krijuar një ofertë të mirëfilltë në Tiranë dhe e kanë vënë atë në hartën e destinacioneve për kompanitë turistike.

Veliaj u shpreh se gjatë këtij viti është arritur të përfundojnë disa nga projektet e mëdha strategjike të Tiranës.

“Pazari i Ri është kthyer sot nga një gërmadhë në një nga zonat më fantastike e destinacionet më tërheqëse të Tiranës, sidomos me turistët e huaj. Është një model që tregon sesi investime të mirëmenduara e strategjike në disa zona si Pazari i Ri mund t’i shndërrojnë ato zona në motorë të vërtetë rritjeje ekonomike për qytetin. Sheshi është kthyer sot realisht në një agorë të qytetit dhe në një nga destinacionet më popullore të Tiranës. Një kartolinë e Tiranës në fakt, që vizitohet çdo ditë nga mijëra qytetarë dhe që ka pasur një axhendë eventesh artistike e kulturore realisht impresionuese”, tha ai.

Krahas investimeve në infrastrukturë, një vëmendje i është kushtuar edhe zhvillimit të sportit dhe një jete të shëndetshme për qytetarët e Tiranës. Projekti tjetër madhor i realizuar gjatë këtij viti ishte Parku Olimpik, një kompleks supermodern e multifunksional sportiv, aty ku më parë kishte vetëm gërmadha.

“Ne jemi duke punuar tashmë për ta kthyer Pallatin e Sportit Asllan Rusi në polin tjetër elitar të sportit për kryeqytetin, ndërkohë që së shpejti do të fillojë puna edhe për fazën e dytë të Parkut Olimpik”, u shpreh Veliaj, ndërkohë që ka vazhduar puna edhe për transformimin e Parkut të Liqenit.

Top Channel