Mudasiri, një 18-vjeçar nga qyteti Peshavar i Pakistanit, është përpjekur të hyjë në Bashkimin Europian plot 30 herë, por gjithnjë është kapur dhe është kthyer në pikën nga ku është nisur, në Serbi.

Tani, ai dhe dhjetëra emigrantë të tjerë po përballen me temperatura të acarta në pyjet dhe fushat afër Sid, një qyteti serb veriperëndimor, pranë Kroacisë anëtare të BE-së, me qëllim që ta provojnë sërish.

Ata i kalojnë netët në tenda dhe kasolle të improvizuara, në një pyll që e quajnë xhungël.

“E kam provuar plot 30 herë. Në Serbi po qëndroj prej 16 muajsh. Jam lodhur duke fjetur në xhungël”, thotë ai.

Ndërkohë, emigrantë të tjerë presin jashtë një fabrike të braktisur në periferinë e Sidit, për një vakt të ngrohtë të shpërndarë nga vullnetarët.

Ndërsa Muhamedi 22-vjeçar, nga Maroku, thotë se është përpjekur 26 herë të hyjë në BE. Tri herë ia ka dalë mbanë të arrijë deri në Slloveni, por është kapur dhe është deportuar sërish në Serbi.

“Do ta provoj sërish. Familja ime është në Francë, ndërsa e dashura ime në Itali”, tha ai.

E ashtuquajtura “trajektorja ballkanike” për emigrantët u mbyll vitin e kaluar, kur Turqia ra dakord të ndalonte fluksin në këmbim të ndihmave të BE-së dhe një premtimi për udhëtim pa viza për qytetarët e saj.

Por njerëzit, kryesisht nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, kanë vijuar të mbërrijnë në Serbi. Ata që nuk mund t’i përballojnë shifrat që u kërkohen nga trafikantët, shpesh fshihen në kamionët apo trenat që kalojnë, me shpresën se do të kalojnë kufirin. Kohët e fundit, një vajzë afgane humbi jetën pasi u shtyp nga një tren, ndërsa ajo dhe familja e saj përpiqeshin të hynin në Kroaci.

Top Channel