Rikthimi i Starovës, Olsi Rama: Tek Partizani nuk vendosin lojtarët

20/12/2017 20:09

Tek Partizani vendosin drejtuesit dhe rikthimi i Sulejman Starovës në krye të ekipit pas humbjes 5-0 në Gjirokastër me Luftëtarin ishte një sinjal për t’i konfirmuar edhe një herë lojtarëve këtë gjë. Kështu ka argumentuar këtë vendim drejtori i klubit të kuq, Olsi Rama.

“Vendimi për të rikthyer Starovën ishte kolegjial dhe tek ne vendosin të gjithë nga unë tek presidenti dhe tek Moxhi. Nuk kishte kuptim që për një ndeshje të largohej trajneri në atë formë. Gjithashtu rikthimi i tij ishte një përgjigje për të gjithë se nëse ikën apo qëndron trajneri këtë e vendosin vetëm drejtuesit e klubit jo të tjerët”, tha Olsi Rama.

Ndërkohë këto ditë një temë e nxehtë ka qenë edhe çështja e titullit të sezonit 2015/16 që Partizani pretendon pas dënimit të Skënderbeut, por me sa duket ankimimi në gjykatën e arbitrazhit sportiv, ka lënë në pritje edhe drejtuesit e Partizanit.

“Ne jemi depozituar kërkesën tonë menjëherë pas vendimit që mori UEFA dhe FSHF për të dënuar Skënderbeun. Tashmë na duhet të presim vendimin e CAS-it pasi kërkesa jonë aty është duhet të vendos më pas federata”, shprehet Olsi Rama.

Ditën e martë ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë certifikatat e drejtorëve të rinj sportiv pasi ka përfunduar kursin 2 javorë. Kanë qenë rreth 20 drejtues të rinj që kanë marrë edhe liçencën për të ushtruar zyrtarisht këtë profesion, përfshirë edhe drejtorin e ri të Partizanit.

Top Channel