Nga Moska mbërrin një sinjal domethënës për Kosovën: Vladimir Putin deklaroi se do të mbështesë çdo zgjidhje të ngërçit shumëvjeçar, me të cilën do të pajtohen Beogradi dhe Prishtina.

Kjo është hera e parë, që shefi i Kremlinit shqipton kaq qartë përkrahjen për fundin e një “status quo”-je, të cilën jo më larg se tetori i këtij viti e përdori si argument për të akuzuar Bashkimin Europian për standarde të dyfishta, në vazhdën e refuzimit që BE-ja i bëri pavarësisë së Katalonjës.

Komentet e Putinit erdhën në përfundim të takimit në kryeqytetin rus me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ka dhënë me kohë shenja nga ana e tij se po kërkon që çështja të marrë një drejtim, e këtë e nisi me nismën e dialogut të brendshëm serb.

Putin e ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa këmbënguli se situata në Kosovë duhet të zgjidhet në rrugë politike nëpërmjet dialogut, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiç shprehu mirënjohje për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës dhe e siguroi homologun rus se, Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme.

Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimin europian, por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë, e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Europës Juglindore me strukturat euroatlantike.

Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve euroamerikane kundër Moskës, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Vuçiç ritheksoi se vendi i tij nuk do ta bëjë kurrë këtë dhe shtoi se i ka kërkuar Putinit t’u bashkohet negociatave për Kosovën, nëse në tryezë do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara.

Top Channel