Icardi, kontratë me 7-7.5 mln euro dhe klauzolë 200 mln euro

20/12/2017 14:02

Nga golat te paratë, diçka që është e pashmangshme për futbollistët, e në veçanti për lojtarë golashënues siç është edhe Mauro Icardi.

Plot 17 gola në 17 ndeshje deri tani, gjithsej 95 me fanellën e Interit, e për këtë arsye çështja e kontratës mbetet pashmangshmërisht në qendër të vëmendjes.

Tani për tani, Icardi ka një kontratë që skadon më 30 qershor të vitit 2021, me një pagë prej 5.5 milionë eurosh në sezon dhe një klauzolë për prishjen e saj prej 110 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për jashtë Italisë dhe që hyn në fuqi nga 30 qershori i vitit 2018.

Ndërhyrja e parë në lidhje me marrëdhëniet kontraktuale u bë verën e vitit 2016, u ribë pranverën e këtij viti, e me siguri që nga janari që vjen ndoshta do të rishkruhet edhe njëherë.

Klubi zikaltër duket se ka përveshur mëngët për t’i dhënë fund çdo dritareje të mundshme për largimin e Icardit diku tjetër. Për momentin po diskutohet për një kontratë që do të skadojë më 30 qershor të 2022-shit, me një klauzolë që pritet ende të përcaktohet, e një pagë që do të rritet deri në 7 milionë euro.

Kjo është ajo që thuhet “zyrtarisht” nën zë, pa një dalje publike, por një faqe interneti dedikuar ekskluzivisht lajmeve nga bota e Interit hedh një tezë të vetën.

Kontrata e re mund të zgjasë deri në 2023-shin, paga do të jetë 7.5 milionë euro, ndërsa kërkesa e bashkëshortes-menaxhere të Icardit, Wanda Nara, është që klauzola të rritet në 130 milionë euro. Nuk dihet sesa do t’i pranojë klubi zikaltër kohëzgjatjen dhe pagën, por ajo që dyshohet se është e sigurtë ka të bëjë me klauzolën: as 100 dhe as 130, por 200 milionë euro, në mënyrë që të mbajë larg çdo tentativë nga klubet e huaja që ta rrëmbejnë argjentinasin.

Top Channel