BSH s’ndryshon parashikimet për ekonominë, norma bazë mbetet njësoj

20/12/2017 18:09

Banka e Qendrore i la të pandryshuara parashikimet e saj për ekonominë shqiptare për periudhën afatmesme. Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në 1,25 për qind.

“Projeksionet tona për të ardhmen flasin për një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit”, deklaroi Guvernatori Gent Sejko.

Sipas Sejkos mbiçmim i lekut do të zbutet, ndërkohë që inflacioni është poshtë objektivit prej 3 për qind të vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës pret rikthimin e tij në këtë nivel brenda gjysmës së parë të vitit 2019. Nëse kjo nuk ndodh, Banka e Shqipërisë mund të shohë me ulje normën bazë të interesit për lekun.

“Përmbushja e objektivit të inflacionit mund të kërkonte një qëndrim edhe më akomodues të politikës monetare. Në përgjigje të tyre, Këshilli Mbikëqyrës do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë lehtësime të mëtejshme të kësaj politike”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Top Channel