Skënderbeu nuk ka ndërmend të heqë dorë nga titulli kampion i sezonit 2015-2016, i hequr nga Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pas dyshimeve për trukime ndeshjesh.

Për këtë arsye, skuadra korçare ka hedhur zyrtarisht në gjyq Federatën Shqiptare të Futbollit, duke ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e këtij titulli dhe gjithçkaje tjetër përfshin ai dënim, me pikët e hequra dhe me gjobën financiare.

Top Channel ka mundur të sigurojë një kopje të njoftimit zyrtar, që Abitrazhi i Lozanës ka njoftuar FSHF-në për padinë nga skuadra e Skënderbeut.

Gjithçka është bërë brenda afatit 21-ditor, nga dhënia e vendit të Komisionit të Etikës, pra nga 23 qershori i vitit 2017, kur Komisioni i Etikës ka njoftuar Skënderbeun për vendimin e zbardhur të dënimit.

Brenda më pak se dy javësh, skuadra korçare, siç edhe pati deklaruar, ka regjistruar një apelim në “CAS”-in e Lozanës, i cili më 11 gusht të vitit 2017 ka njoftuar FSHF-në.

Skënderbeu ka ankimuar mënyrën e marrjes së këtij vendimi dhe mbi të gjitha faktin që vendimi nuk është i bazuar në asnjë nen të Kodit të Etikës, por korrespondon me krijimin e një precedenti, duke qenë që baza ligjore nuk e parashikon një shkelje të tillë.

Këto, por edhe disa akuza të tjera ndaj FSHF-së, duket se janë një pikë e fortë, ku skuadra e Skënderbeut shpreson të shfuqizojë të plotë vendimin e Etikës.

Megjithatë, kjo betejë ligjore mes skuadrës 6 herë kampione të vendit dhe organit qeverisës të futbollit shqiptar zgjat që prej muajit gusht të vitit 2017, e brenda janarit të vitit 2018 do të merret zyrtarisht një vendim nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, nga i cili nuk përjashtohet edhe kthimi i titullit te Skënderbeu.

Kjo është edhe arsyeja, që aktualisht ai titull nuk i është dhënë Partizanit, siç pretendon, duke qenë se ishte në vendin e dytë në renditjen e atij sezoni.

Top Channel