Trajnerët e ekipeve të moshave të Shqipërisë ishin të impenjuar në një fushatë seleksionimesh, ku në fokusin e tyre kanë qenë mbi 2.700 fëmijë të datëlindjeve 2000-2006.

Trajneri i Kombëtares U21, Alban Bushi, dhe ai i U17-s, Dzemal Mustedanagiç janë shfaqur të kënaqur me punën e bërë gjatë kësaj faze.

“Shqipëria ka një të ardhme shumë të mirë. Kemi parë mbi 2.000 futbollistë të grupmoshës 12-19 vjeç brenda dhe jashtë vendit, që janë shumë premtues. Interesimi për t’u përzgjedhur me Kombëtaren është rritur dhe kjo është diçka shumë e mirë, pasi tregon se futbolli shqiptar është përmirësuar”, tha Alban Bushi, trajner i Kombëtares U21.

Alban Bushi vë në dukje edhe një problematikë për sa i përket seleksionimit, që ka të bëjë me prindërit e lojtarëve.

“Kam 4 vite që punoj me futbollin e moshave dhe më ka zënë tmerri nga prindërit. Ata janë problemi kryesor i fëmijëve në Shqipëri. Kemi shumë talente, por prindërit nuk janë profesionistë. Ata duhet të heqin dorë nga fëmijët, t’i sjellin ata në stërvitje dhe kaq, nuk duhet të ndërhyjnë fare”, tha më tej Alban Bushi.

Edhe trajneri Mustedanagiç ka vënë në dukje ekzistencën e shumë talenteve në Shqipëri.

“Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam parë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Por seleksionimet nuk mbyllen këtu, do të ketë edhe prurje të reja. Kemi zgjedhur shumë lojtarë të rinj dhe të talentuar. Disa prej tyre mund të jenë edhe në ekipin e U21-shit apo Kombëtaren A. Do të jetë diçka fantastike, nëse vit pas viti do të nxjerrim lojtarë që të jenë pjesë e këtyre dy skuadrave”, tha Dzemal Mustedanagiç, trajneri i Kombëtares U17.

Top Channel