Kriza e Milanit dhe sulmi që ka nevojë për zhbllokim

19/12/2017 11:43

Në kohë krize, historikisht ngrejnë krye teoritë revolucionarizuese. Nga njeriu “i gjithëpushtetshëm”, te ndryshimet drastike, apo edhe besimi te të rinjtë.

Milani ka zgjedhur pikërisht njeriun “e gjithëpushtetshëm”, Rino Gattuso, e shumë shpejt mund ta bëjë fakt të kryer revolucionarizimin e sulmit me dy lojtarë nën 23 vjeç, me Patrick Cutrone dhe Andre Silva.

Tifozët nëpër rrjetet sociale e kërkojnë prej kohësh një gjë të tillë, edhe për shkak se Kaliniç nuk po tregon atë që duhej të tregonte, ndërkohë që dy të rinjtë janë marrë vesh shumë mirë me njëri-tjetrin në Europa League.

Pika e parë e referimit të ndryshimeve është Nikola Kaliniç. Kroati ka vuajtur shumë, teksa ka shënuar vetëm 4 gola në Serie A (Benevento, Chievo, Udinese 2). Gjuan gjithnjë e më pak në portën kundërshtare, edhe pse krijon disi më shumë për shokët e ekipit. Megjithatë nuk ka bindur kurrë dhe zërat kritikë ndaj tij janë të shumtë tashmë. Edhe pse kroati ka dhënë imazhin e një futbollisti kokulur në ndeshjet e fundit, me shumë mundësi mund ta nisë nga stoli ndeshjen me Atalantën.

Andre Silva do të ishte zgjidhja më logjike në këtë drejtim, por djaloshi portugez nuk ka bërë diferencën. Sot për sot përballet me vështirësi dhe është ende e pakuptimtë pse pas 17 ndeshjesh vijon me shifrën e zero golave në Serie A (pa harruar se në shumicën e ndeshjeve nuk ka luajtur). Në kampionat nuk po përshtatet, krijon pak më shumë se një rast për ndeshje (1.2) dhe gjuajtjet në portë janë vetëm 4 nga fillimi i sezonit. Por ndaj Atalantës, Gattuso duhet të ndryshojë medoemos diçka.

Cutrone është i preferuari i dytë i tifozëve në rrjetet sociale, por ai luajti ndeshjen e fundit ndaj Veronës. Edhe pse nuk e ka të garantuar vendin e titullarit, Patrick ka një rast të artë për të zbritur prej fillimit ndaj Atalantës. Të rinjtë shpesh bëjnë surprizën në ato sezone të komplikuara, kur titullarët dështojnë ose zhgënjejnë.

Top Channel