Dybala irriton Juventusin, vëllai takohet me drejtuesit e PSG-së

19/12/2017 13:04

Ajo që po ndodh mes Paulo Dybala dhe Juventusit mbetet ende një mister. Por, raporti mes klubit bardhezi dhe talentit argjentinas, i cili të dielën kundër Bolognës e pa veten në pankinë për të dytën herë me radhë, duket se është minuar.

Përballë kësaj situate, Pavel Nedved është detyruar të bëjë një apel publik, i pasuar më tej nga një deklaratë e Buffonit.

Por, ajo që zbulon “Corriere della Sera” është diçka për t’u marrë në konsideratë. Vëllai i tij që kujdeset për interesat financiare e futbollistike të Paulo Dybala, Mariano ka qenë së fundi në një udhëtim drejt Parisit, ku pretendohet se ia ka ofruar shërbimet e argjentinasit ekipit të PSG-së.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja milaneze, që kur Mariano menaxhon interesat e vëllait të tij është vënë re një ndryshim i metodës së stërvitjes së Dybala, aq sa Allegri është detyruar ta lërë jashtë formacionin shpesh dhe me vullnet të plotë, pa pasur ndonjë arsye tjetër përtej futbollit.

Udhëtimi i vëllait të tij në Paris dhe takimi me drejtuesit e Paris SG ka irrituar edhe administratorin e deleguar të Juventusit, Marotta, aq sa Juve duket se ka ndërprerë çdo diskutim mbi një rinovim të mundshëm të kontratës.

Mariano, nga ana e tij, është shprehur i bindur se mundet ta largojë Dybalanë “kur dhe si të dojë”, duke e konsideruar vëllain e tij si pasardhësin e Neymarit, që në qershor mund të përfundojë te Reali i Madridit.

Top Channel