Zidane, legjendar edhe në stol. Një trofe çdo 3 muaj

18/12/2017 17:28

Si futbollist ishte një prej më të mëdhenjve të epokës së tij, duke fituar thuajse gjithçka e duke u bërë transferimi më i bujshëm asokohe në merkato, madje gola të tillë, si perla e vitit 2002 në finalen e Champions League janë në videotekat e futbollit spektakolar.

Edhe si trajner, Zinedine Zidane është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga më të mirët, për të mos thënë më fituesi në mënyrë absolute.

Me suksesin në Botërorin e Klubeve këtë muaj, Zinedine Zidane ka arritur në mënyrë mbresëlënëse në kuotën e 8 trofeve me klubin “merengues”.

Dy herë kampion bote, po kaq herë kampion Europë, një titull në Spanjë, dy Superkupa europiane dhe një Superkupë spanjolle. Një arsenal të tërë trofesh do ta kishte zili një skuadër normale në muzeun e saj, por këto tituj, francezi i ka marrë në harkun e 712 ditëve, me një mesatare prej një trofeu çdo 3 muaj.

Zinedine Zidane barazoi Molowny, si trajnerin e dytë më fitues në historinë e Realit, një legjendë që drejtoi “galaktikët” në vitet ’70-’80. Mbetet ende i pakapshëm Miguel Muñoz me 14 tituj, por ai i mori këto në 14 sezone me ekipin “Los Blancos”, e me këtë hap, Zinedine Zidane do ta kalojë me të gjitha gjasat.

Duke zgjeruar klasifikimin në nivel europian, numri një mbetet Sir Alex Ferguson, që në karrierën e tij fitoi 49 trofe, në 39 vite karrierë.

Top Channel