“Shuplaka” e Luftëtarit, rezultati më i keq për Partizanin

18/12/2017 15:11

Humbja 5-0 e Partizanit përballë Luftëtarit në Gjirokastër dhe largimi i trajneri Sulejman Starova tregon edhe njëherë se situata brenda skuadrës së “kuqe” nuk është aspak e qetë.

Problemet e merkatos dhe të menaxhimit të grupit të italianëve, të udhëhequr nga Moggi, tregojnë edhe njëherë se kjo skuadër është ndërtuar me shumë probleme, e as Sulejman Starova, i shndërruar shpesh si “komardare shpëtimi” nuk arriti të çojë këtë herë misionin e tij deri në fund, duke u dorëzuar në humbjen historike të “të kuqve” 5-0 në Gjirokastër.

Në historinë e tij, Partizani është mundur disa herë me rezultate të thella, por kjo me Luftëtarin është regjistruar si humbja më e thellë, gjë që me sa duket “u djeg” më tepër tifozëve sesa lojtarëve, e aq më pak stafit drejtues italian.

Si për koinçidencë, përpara kësaj, humbjen e parë më të thellë Partizantit ia kishte shkaktuar sërish Luftëtari. Ishte viti 1979, kur skuadra gjirokastrite, e drejtuar në atë kohë nga trajneri Hito Hitaj, e mundi skuadrën kryeqytetase me shifrat 4-0.

“Sigurisht që rezultate të tilla na kujtojnë fitoret ndaj Partizanit që kanë qenë disa, ajo 4-0 që ju përmendni, por edhe një herë në Tiranë 5-2. Në atë kohë, që unë drejtoja Luftëtarin e vjetër nëse mund ta quajmë kështu, kishte një ekip shumë të mirë, me Brahon, Kalluçin e shumë lojtarë të tjerë të mirë”, kujton Hito Hitaj, ish-trajner i Luftëtarit.

Ndërkohë që skuadra e Partizanit, në ato vite udhëhiqej nga Bejkush Birçe, një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar. Megjithatë, në humbjen e fundit të ish-skuadrës së tij, Birçe sheh me keqardhje dorëzimin e Partizanit.

“Më vjen keq kur pashë që golat pësoheshin shumë lehtë dhe nuk kishte asnjë reagim nga lojtarët, asnjë dyluftim. Ka disa ndeshje që ndodh kështu dhe Partizanit nuk i mungon emri, por loja që bën është shumë larg emrit që ka kjo skuadër. Largimi i Starovës në këtë mënyrë të lë shije të keqe”, tha Bejkush Birçe, ish-trajner i Partizanit.

Largimi i Sulejman Starovës ka qenë i menjëhershëm pas humbjes 5-0 ndaj Luftëtarit, ditën e diel, duke nënkuptuar një mosbindje të lojtarëve ndaj urdhrave të tij.

Top Channel