Në Selanik u mbajt këtë të hënë takimi i parë shumëpalësh i shefave të policive të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Pala shqiptare përfaqësohej nga zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi.

Qëllimi i takimit ishte përforcimi i bashkëpunimit policor në përballimin e krimit ndërkufitar, ku përfshihen trafikimi i armëve, i lëndëve narkotike dhe eksplozivëve, por edhe trafikimi i mallrave dhe i vet njerëzve.

“Ramë dakord që duhet të shkëmbejmë informacionet operacionale në kohë dhe në mënyrë korrekte, që duhet të takohemi edhe në nivel të shefave të përgjithshëm të policive të qarqeve të vendeve fqinje në mënyre alternative. Gjithashtu, ramë dakord për të identifikuar nevojat e trajnimit dhe sidomos trajnimet e përbashkëta në nivel ndërkufitar, si dhe për faktin që takimi ynë sot të mos jetë as i pari dhe as i fundit”, ka thënë shefi i përgjithshëm i Policisë greke, Konstandinos Tsouvalas.

Gjithashtu, funksionarët e lartë të policive të 4 shteteve fqinje kanë vendosur të përmirësojnë dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e sinqertë dhe të rrisin nivelin e shkëmbimit të informacionit.

Ndërsa për sa i përket krizës migratore, megjithëse deri tani nuk ka tregues, nuk është përjashtuar teorikisht fakti se, nëpërmjet emigrimit mund të ketë përpjekje për depërtimin e atyre personave që duan të përfshihen me çfarëdolloj mënyre me terrorizmin.

Takimi i drejtuesve të policive është zhvilluar dy muaj pas Samitit të ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm në Selanik, tetorin e kaluar, ndërsa pritet një takim i ngjashëm i drejtuesve të Shërbimit Zjarrfikës të të 4 shteteve fqinje.

Top Channel