Të diplomuar ose jo, rrethi vicioz i të rinjve që kërkojnë punë

16/12/2017 15:10

Papunësia e të rinjve është një problem i mprehtë social. Shpesh të rinjtë gjenden të mbërthyer në një rreth vicioz, që e bën më të pasigurtë të ardhmen e tyre. Edhe ata që kanë një diplomë, nuk kanë eksperiencë pune që u kërkohet nga punëdhënësit, kurse ata që kanë, zakonisht e kanë në një punë jashtë profilit të tyre.

Në Shqipëri numri i të papunëve përllogaritet në mbi 190 mijë. Nga këta rreth 87 mijë janë regjistruar në zyrat e punës në kërkim të një pune. 17 mijë janë të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç. Por Shërbimi Kombëtar i Punësimit nuk ka të dhëna se sa prej të rinjve që kërkojnë punë kanë ndërkaq një diplomë. Qarqet ku papunësia e të rinjve është më e madhe janë Tirana, Elbasani, Fieri, Shkodra, Durrësi, Korça dhe Kukësi.

“Kam tentuar disa herë për punë, por na kërkojnë eksperiencë punë. Ne të rinjtë nuk disponojnë eksperiencë pune, kjo I dekurajon të rinjtë prandaj sipas sondazheve 60% e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria”, thotë një vajzë e diplomuar dhe e papunë.

 

Një model tjetër i të rinjve në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera ku ka jetë universitare janë ata me diploma që bëjnë një punë çfarëdo për të paguar studimet apo për t’i mbijetuar jetës së shtrenjtë të metropolit, pasi në profilin e tyre nuk i punëson kush.

“Kam tentuar për punë në shtet dhe në privat. Ose nuk kam marrë përgjigje fare, ose kërkojnë masterin ndërkohë që ka sa të duash pa master që punojnë. Kështu që punoj supervizore sepse më duhet të punoj përndryshe do të kthehesha në vendin tim, në Laç”, thotë një e diplomuar, e cila punon në Call Center.

Për disa të rinj, zgjidhja është arsimi profesional. Një zgjedhje jo e keqe për një punë të sigurt në një treg ku zanatçinjtë profesionistë mungojnë.

“Kam punuar 3 vjet me xhajën në servis, bëra dhe kurs për të pasur një certifikatë, kam bërë specializime jashtë për mekanik elektroauto… Jeton mirë!”, thotë Bruno Sengla mekanik, elektroaut.

Sigurisht, kryeqytetit nuk i mungojnë as të rinjtë që i sheh rregullisht duke vënë lloto apo duke luajtur lojëra të ndryshme të fatit.

“Nga bixhozi kam humbur shumë, kam humbur edhe veten. Kam humbur biznesin, kam marrë edhe kredi për bixhoz….”, thotë një i ri.

Papunësia e të rinjve konsiderohet një problem i mprehtë në politikat e punësimit edhe në vendet më të zhvilluar, ose për shkak të mungesën së eksperiencës, ose të një formimi të përshtatshëm.

Top Channel