“Shkolla e natës”, të rinj e të rritur, në kërkim të diplomës së gjimnazit

16/12/2017 15:14

Krahas gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale ekziston edhe një shkollë tjetër. Dikur quhej Shkolla e Natës, ndërsa sot “Gjimnazi me Kohë të Pjesshme”.

Mësimi këtu zhvillohet gjatë tre ditë të javes, paradite dhe pasdite. “Kostandin Kristoforidhi” ka një program bazë si të gjitha shkollat e tjera, por procesi mësimor zgjat 4 vjet.

“Numri i nxënësve aktualisht është 800. Që një individ të jetë nxënës i shkollës sonë duhet të ketë një moshë mbi 18 vjeç. Mbi moshën 40 vjeç ne kemi gjithsej 30 nxënës. Më i madhi është 46 vjeç”, tha zv.drejtoresha Desantila Topalli.

Secili prej tyre ka një arsye që e ka privuar nga vazhdimi i shkollës.

Elda është nxënëse në vitin e tretë.

“Mosha ime është 37 vjeç, kam dy fëmijë, vajza është në vitin e parë në fakultet, unë jam akoma maturante, kurse djali është në klasën e nëntë. Programi që kemi këtu më përkon me djalin. Më shumë konsultohem me djalin se me vajzën. Shkollën e ndërpreva për arsye emigracioni. Aktualisht punoj shitëse. Bashkëshorti si me shaka thotë se në 2020 do të kem tre pjestarë në shkollë të lartë, vajza, mami dhe djali”, thotë Elda Topalli.

Argeta emigroi dikur në Greqi. 42-vjeçarja, maturante sivjet, mezi pret diplomimin.

“Qe të them do të ndihem e pjekur s’… (qesh), krenare patjetër, sepse ishte një ëndërr imja e lënë mbrapa”, thotë Argeta.

Rolanda punon si përgjegjëse e dhjetra punëtoreve në një rrobaqepësi.
“Kam filluar punë që 14 vjeç. Edhe pse jam me dy fëmijë dhe në punë, shkollën nuk e hedh poshtë. Për atë që do të mësojë, mëson”, thotë Rolanda.

Rajmonda merrej me futboll, por pësoi dëmtim, kështu që u detyrua ta ndërpriste shkollën e mesme dhe të shkonte në Itali. Atje e vazhdoi shkollën, por që të shkosh në të lartën, duhet që edhe maturën ta mbyllësh në Shqipëri.

“Tani jam në vitin e katërt, jam dhe senatorja e klasës. Me të marre deftesën këtu, e dorëzoj në ambasadën Italiane dhe direkt më vjen një letër që është permesa dhe unë direkt vazhdoj studimet në Itali. Do të studioj në Milano për zemrën”, thotë Rajmonda.

Ornela është 23-vjeçare. Vajza që ka fituar një çmim të parë në Itali për librin e saj me poezi ka qëllim të qartë, prandaj është shkëputur nga familja dhe po kryen maturën në Shqiperi.

“Dua të studioj për gazetari dhe shkrimtare”, thotë Ornela.

Juli eshte 40 vjeç, por mosha nuk ka fare rëndësi për të.

“Koha është një njësi fizike. Sot nuk ndihem as më i ri nga ç’kam qenë dikur dhe as më i vjetër se ç’do të jem. Po të shohësh brezat e nxënësve që ndjekin këtë shkollë, mund të shohësh një histori të krizave të vendit tonë përgjatë këtyre viteve”, thotë Juli.

Punon si përkthyes, ka përfunduar një shkollim fetar, por ka një qëllim tjetër.

“Pasioni im është historia. Mua më pëlqen të vazhdoj rrugen akademike, dua të thelloj studimet. Ka historia shqiptare shumë për të hulumtuar”, vijon Juli.

Geldi është 20 vjeç, paraplegjik dhe mëson në klasen e 10. E shoqëron e ëma, mësuese matematike e papunë.

“Këtu nuk është e përshtatshme tamam për mua, por po mundohemi”, thotë Geldi.

“Duke iu referuar një fëmijë me aftësi të kufizuara çdo dite unë duhet të isha e privilegjuara e shtetit. Është shumë e vështirë të kesh një fëmijë dhe të jesh e papunë”, rrëfen e ëma e Geldit.

“Kam bërë kurse profesionale për informatikë. Unë kam vendosur që të paktën edhe gjimnazin ta marr, pastaj më larg shikojmë edhe bëjmë”, vijon Geldi.

Sot, kur tregu i punës kërkon njerëz sa më të kualifikuar, diploma e shkollës së mesme nuk e garanton një mundësi për një vend pune. Por ama mungesa e kësaj, garanton thuajse në mënyrë të sigurt një vend mes të papunëve.

Top Channel