Lulzim Basha mblodhi në selinë qendrore të Partisë Demokratike kryetarët në rrethe të kësaj force. Në takim është diskutuar për protestën e ditës së hënë.

PD ka paralajmëruar një tubim në orën 09:30 minuta para sallës së seancave plenare të Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

Edhe LSI është kundër zgjedhjes së kryeprokurorit dhe të dielën do të mbledhë Komitetin Drejtues Kombëtar për organizimin e protestës para Parlamentit. Paraprakisht, Monika Kryemadhi e cilësoi të hënën si ditën më të errët të demokracisë shqiptare.

Pasi Kuvendi vendosi të konstatojë me 7 dhjetor përfundimin e mandatit të Adriatik Llallës, opozita e bojkotoi procedurën e zgjedhjes së kryeprokuorit të përkohshëm. PD dhe LSI mbështeten tek Kushtetuta, e cila përcakton Këshillin e Lartë të Prokuorisë, si të vetmin organ që mund të konstatojë fundin e mandatit dhe prej të cilit vijnë dhe propozimet për kryeprokuorin e ri.

Por, në kushtet kur KLP ende nuk është ngritur, socialistët vepruan sipas dispozitës kalimtare të ligjit për prokurorinë për caktimin e një prokurori të përkohshëm.

Ky proces u parapri nga një mendim i ekspertëve të Opdat dhe Euralius, mbështetur nga ambasadat respektive të SHBA dhe BE në vendin tonë. Ata këshilluan largimin e Llallës më 7 dhjetor dhe zgjedhjen kryeprokurorit të përkohshëm me shumicë të thjeshtë votash, duke inkurajuar palët për dialog në këtë kuadër.

Kryeministri Edi Rama e ftoi disa herë Lulzim Bashën për pakt në emër të integrimit, duke e nisur me zgjedhjen e një kryeprokurori konsensual. Kreu demokrat refuzoi të bëhet pjesë e atyre që i cilëson veprime antikushtetuese, një përgjigje që ia dha edhe ambasadorit amerikan. Kreu demokrat paralajmëroi se zgjedhja nga socialistët e kryeprokurorit të përkohshëm më 18 dhjetor do të ishte fundi i shtetit ligjor dhe i demokracisë dhe shtoi se opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar.

Top Channel