Premier League, triumf londinezësh një javë nga fundi i fazës së parë

16/12/2017 17:55
Nga fitorja e thellë e Huddersfield

Fundjavë londineze mund të quhet kjo e javës së 18 dhe të parafundit të fazës së parë në Premier League.

Chelsea dhe Arsenali kanë mposhtur me të njëjtin rezultat minimal, 1-0, dy rivalët e tyre, respektivisht Southampton dhe Newcastle, në sfidat e zhvilluara në kryeqytetin britanik Londër.

Për Chelsean, kjo fitore e sotme e barazon me pikë me Manchester United, duke ndarë mes tyre vendet 2 dhe 3 të klasifikimit, ndërsa në pritje të takimit më të fortë të ditës së sotme, atij mes kryesuesve Manchester City dhe Tottenham Hotspurs, që do të zhvillohet në orën 18:30, Arsenali rrëmben përkohësisht vendin e katërt të renditjes.

Huddersfieldi i ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit anglez mori një fitore 4-1 në transfertë përballë Watfordit, ndërsa West Ham del përkohësisht nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria pas rezultatit të pjesës së parë 1-0 ndaj Stokes.

Në ndeshjet e tjera të Premier League, Brighton dhe Burnley u ndanë me nga një pikë pas takimit pa gola mes tyre, ndërsa Crystal Palace mposhti 3-0 Leicesterin në takimin e mesditës.

Top Channel