Pije energjike pa akcizë. Taksa u hoq me lobim energjik

16/12/2017 08:00

Akciza për pijet energjike u hoq përmes një procedure jo të zakonshme. Ajo nuk ishte pjesë e paketës fiskale të Ministrisë së Financave, por u propozua nga deputetit socialist Ervin Bushati.

Në datë 27 nëntor të këtij viti, Bushati thonte: “Duke pasur parasysh diskutimet që kemi nisur përpara 3 viteve për një shqetësim mbi përdorimin e pijeve energjike, është parë që nuk ka ndikuar në përdorimin e saj. Unë propozoj që të shfuqizohet kjo pikë”.

Kjo nuk është hera e parë që tentohet heqja e akcizës për pijet energjike. Në vitin 2014, Ministria e Financave, e drejtuar në atë kohë nga Shkëlqim Cani, tentoi të njëjtën gjë. Por, nisma u rrëzua në Parlament e kundërshtuar nga vetë deputetët mazhorancës. Por, këtë herë qëndrimi i mazhorancës ndryshoi. Burime nga grupi socialist thonë se shkaku është lobimi i tregtarëve direkt në nivelin më të lartë të qeverisë, prej nga u diktua dhe votimi për heqjen e akcizës.

Ky është një vendim me pasoja financiare. Përmes heqjes së akcizës, qeveria u fal tregtarëve të pijeve energjike 2 milionë e 200 mijë euro në vit taksa. Por, kush janë përfituesit më të mëdhënj të kësaj dhurate?

Shqipëria është një nga vendet me konsumin më të lartë të pijeve energjike në rajon, duke konsumuar mesatarisht 8500 tonë në vit. Top Channel publikon të dhënat konfidenciale se si ndahet tregu i pijeve energjike. Ato i përkasin vitit 2013, që është dhe viti i fundit për të cilat të dhënat janë të disponueshme.

Sipas tyre, rezulton se mbi 75% e uljes së taksës, ose 1.7 milionë euro, përfitohen nga vetëm tre kompani. Ato janë ARSTL group, B.M. shpk dhe Albanian Distribution and Development.

Dy kompanitë e para kanë ekskluzivitetin e pijes B52, njëra variantin holandez dhe tjetra atë maqedonas. Ndërsa kompania e tretë është importuesi ekskluziv i markës Red Bull, e cila në vlerë zotëron 45% të tregut, 60 milionë euro të pijeve energjike. Kjo kompani ka qenë dhe një nga lobuesit më të mëdhenj për heqjen e taksës, vendim i cili u materializua falë votës pro të mazhorancës.

Top Channel