Britanikët, kryesisht studentët, njihen për fundjavat e tyre të çmendura por kjo e premte ka qënë vërtet e çmendur. Sezoni i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ka kulmuar këtë të premte ku mëngjesi i sotëm i ka gjetur britanikët por edhe të huajt që kanë zgjedhur të kalojnë këtë periudhë të vitit në Londër, në rrugë, totalisht të dehur. Një pamje kjo që për vendasit nuk përbën lajm por duket se edhe të huajt e kanë përqafuar më së miri këtë mënyrë të të festuarit.

Kjo e premte është pagëzuar me emrin “E premtja e çmendur”.

Të rinjtë kishin zgjedhur kostume festive për të kaluar mbrëmjen në klubet e natës, me kapale apo kostume elfi apo arushi polar. Nuk kanë munguar as përleshjet dhe arrestimet nga policia. Moti i ftohtë me temperatura nën zero gradë, nuk i pengoi mijëra të rinj të festojnë deri në mëngjes.

“E premtja e çmendur” organizohet tradicionalisht të premten e fundit përpara Krishtlindjeve në të gjitha qytetet britanike, përfshirë Leeds, Manchester, Birmingham dhe Newcastle, pasi e premtja e ardhshme i gjen lokalet të mbyllura për të vënë para punën për organizimin e natës së Krishtlindjeve.

Përpara të premtes së çmendur, autoritetet paralajmëruan popullatën që të mos udhëtojnë me automjete në këtë kohë, kryesisht të pirë dhe gjatë sezonit festiv ku mijëra turistë zgjedhin Britaninë e Madhe për të kaluar festat. Numrit të lartë të të aksidentuarve me automjete në këto ditë të akullta apo për shkak të pijeve alkoolike, nëpër spitale i shtohet edhe numri i atyre që pësojnë fraktura për shkak të rrëshqitjeve nga akulli në rrugë apo shkallë.

Mes datave 24 nëntor – 2 janar, për periudhën festive 2016-2017, u regjistruan 7419 incidente në metrotë e vendit, ku 1 në 6 persona kishte pësuar fraktura nga rrëshqitjet nëpër shkallë.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel