Veliaj, larg skandaleve të qeverisë; “The Economist” flet për ambiciet e kryebashkiakut

15/12/2017 20:05

Gazeta “The Economist ka bërë një shkrim për Tiranën, duke renditur punët e bëra gjatë dy vjetëve nga kryebashkiaku Veliaj, të cilin e vendos edhe në kontekstin politik të betejës për pushtet. Por Veliaj thotë se preferon të fokusohet te një mandati të dytë në krye të Tiranës.

Tim Judah, që e njeh mirë Shqipërinë, rendit në një shkrim për “The Economist” ndryshimet e pësuara nga Tirana gjatë dy viteve të kryebashkiakut Veliaj. Artikulli nis me “lali Erin”, ashtu siç e etiketojnë fëmijë e të rritur në Tiranë dhe jo vetëm.

Në artikull theksohet se Erion Veliaj, 37-vjeçari që drejton kryeqytetin e shqiptarëve, gjatë gjysmës së parë të mandatit përfundoi punët në qendër. Tani, në mes të mandatit të tij, vëmendjen e ka fokusuar në periferi të qytetit, që siç thotë “The Economist”, po ndjen për herë të parë dorën e shtetit në 25 vjet.

Gazeta britanike ndërthur në artikull edhe vështirësitë në rrugëtimin personal dhe publik të Erion Veliajt, derisa sot, në petkun e kryebashkiakut, e gjen në krye të çdo pune, nga inspektimi i një rruge, kur vendosen tubat e ujerave te zeza, e deri tek përfundimi i një këndi lojërash ku argëtohen fëmijë.

Por Tim Judah, autori i shkrimit, që e njeh mirë skenën politike në Shqipëri, e vendos kryebashkiakun edhe në kontekstin politik të betejës për pushtet, duke marrë shkas nga zhvillimet me të fundit në qeveri dhe brenda të majtës.

“Ai nuk mund të ndodhet në një post më të mirë, thotë “The Economist”, sepse tani çdokush mund të shohë frytet e punës së tij, ndërkohë që ai qëndron larg skandaleve që po dëmtojnë Ramën dhe qeverinë e tij”. Por Veliaj thotë se në mendjen e tij ai kërkon të fitojë vetëm mandatin e dytë si kryetar bashkie.

Top Channel