Teatri i Hapur i Tiranës në Parkun e Liqenit Artificial ka nisur të marrë formë. Rehabilitimi i plotë Amfiteatrit të Tiranës po kryhet nga APR dhe shumë shpejt do të funksionojë për të gjithë artistët.

Aktualisht, është bërë e mundur rindërtimi i skenës dhe shumicës së karrigeve prej betoni, ndërsa po punohet me dhomat e reja të zhveshjes si dhe detajet e tjera që do të pasurojnë këtë skenë të re për artin.

“Vijon puna për rehabilitimin, rindërtimin në shumë nga komponentët të Teatrit të Hapur në Parkun e Madh. Instalime të reja, hapësirë për koncerte me orkestër para skenës, shkarkime e impiante ndriçimi, rrethim e ambiente sanitare të reja, finitura më të durueshme e më të bukura, rigjenerim gjelbërimi e rrugicash”, thuhet në faqen zyrtare të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në rrjetin social “Facebook”.

Të shumtë janë ata që frekuentojnë këtë zonë gjatë gjithë stinëve të vitit, ndaj rikthimi në identitet do t’i kthejë qytetarëve që kalojnë orët e tyre në këtë zonë, jo vetëm një ambient modern edukimi e argëtimi, por edhe një skenë teatrore më shumë.

Top Channel