Simeone i hap dyert francezit Griezmann

15/12/2017 13:42

Diego Simeone i hap dyert për t’u larguar Antoinne Griezmann.

Sulmuesi francez, gjatë muajve të verës ishte duke e braktisur skuadrën madrilene, por në fund ai vendosi që të qëndrojë për të mos lejuar dobësimin e Atleticos, që u dënua me bllokim të merkatos së transferimeve. Por, tani skenari i së ardhmes së Griezmann është krejt ndryshe dhe ai që e vërteton këtë është trajneri Diego Pablo Simeone me intervistën e dhënë për të përditshmen “L’Equipe”.

“Një ditë, Griezzmann do të largohet nga Atletico. E njëjta gjë ndodhi me Diego Costën dhe Arda Turanin. Kur ai të vijë tek ne dhe të na thotë se ka një ofertë unike për karrierën e tij dhe se dëshiron të ikë, ne do ta lëmë të lirë”, tha Simeone.

Sezoni jo shumë pozitiv i Atleticos, që kulmoi me eliminimin në Ligën e Kampioneve, ka bërë që aventura e Griezmann te “Los Colchoneros” të shkojë drejt fundit. Janë 4 klube që dëshirojnë të sigurojnë shërbimin e tij, mes të cilëve është edhe Reali i Madridit. Tre ekipet e tjera janë Barcelona, Paris Saint Germain e Manchester United. Në rastin e Realit, duket se është opsioni që ka probabilitetin më të vogël, kjo për faktin se tifozët e Atleticos nuk do ta presin aspak mirë një kalim të Griezmann te rivalët e qytetit, siç ndodhi me Figon në momentin që la Barcelonën për të kaluar te Reali.

Për momentin, Barcelona dhe Manchester United janë në “pole position” për kartonin e Griezmann dhe do të jetë pikërisht futbollisti ai që do të zgjedhë se cili do të jetë destinacioni i tij. Griezmann ka me Atleticon deri në vitin 2022, ndërkohë që klauzola e zgjidhjes së saj nga 1 korriku i 2018 do të jetë 100 milionë euro.

Top Channel