Rusi, ish-ministri i Putinit dënohet me 8 vite burg për mitmarrje

15/12/2017 14:22

Tetë vite heqje lirie, në një burg të regjimit të ashpër, është dënimi i dhënë ish-ministrit rus të Ekonomisë, Alexei Ulyukayev, për mitmarrje.

Ish-zyrtari i lartë, i pari i këtij niveli që ulet në bankën e të akuzuarve në historinë e Rusisë moderne, u gjobit edhe me 130 milione rubla, apo 2.2 milionë dollarë. 61-vjeçari u arrestua vitin e kaluar, me akuzën se ishte përpjekur t’i zhvaste 2 milionë dollarë firmës shtetërore të naftës “Rosneft”, që t’i aprovonte asaj blerjen e shumicës së aksioneve të kompanisë së ngjashme, “Bashneft”.

Akuzat i ngriti shefi i “Rosneft”-it, Igor Sechin, i njohur për lidhje të ngushta me presidentin Vladimir Putin.

Sechinit iu kërkua që të dëshmonte në gjyq, por ai nuk u paraqit. Ulyukayev mohon me forcë çdo përfshirje, e thotë se procesi kundër tij është i gjithi i montuar.

Rënia e njeriut përgjegjës për ekonominë e Rusisë nisi 15 nëntorin e një viti më parë, e orkestruar sipas “The Independent” nga Sechin, që e kishte ftuar ish-ministrin në zyrën e tij, ku i kishte lënë në dorë një shportë me suxhukë dhe një çantë të mbyllur, ku ndodheshin 2 milionë dollarë.

Ulyukayev u ndalua menjëherë nga agjentët e sigurisë që prisnin jashtë, duke u bërë kështu i pari ministër kabineti i arrestuar në vend, që prej Lavrenty Berias në vitin 1953. 61-vjeçari këmbëngul se mendonte që Sechini i kishte bërë dhurata disa shishe vere të shtrenjtë. Ai ka kërkuar 4 herë në gjyq ballafaqim me shefin e “Rosneft”-it, por ky i fundit gjithmonë ka refuzuar.

Top Channel