Azilkërkuesit në Francë, ministri francez: 20 përqind në kampe janë shqiptarë

15/12/2017 11:54

Azilkërkuesit shqiptarë janë një problem për Francën dhe për këtë arsye në korrik dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje për frenimin e fenomenit.

Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, gjatë vizitës në Tiranë, tha se 20% e azilkërkuesve që ndodhen në qendrat e strehimit janë shqiptarë por nga ana tjetër vlerësoi punën që po ndërmarrin autoritetet shqiptare.

“Kur shoh numrin e personave që janë refuzuar të dalin nga Shqipëria për mungesë dokumentacioni më bën të mendoj se po bëhet një punë e mirë. Me ministrin tuja të brendshëm kemi vendosur që oficerë francez të qëndrojnë në Tiranë dhe oficerë shqiptarë në Paris, të cilët do monitorojnë masat”, u shpreh ministri francez, Gerard Collomb.

Vetëm gjatë muajve të fundit më shumë se 2500 persona janë riatdhesuar nga zona shengen ndërsa mbi 7000 shtetas janë refuzuar në dalje nga policia e shtetit.

“Rruga e azilkërkimit jo vetëm që përbën në vetvete një rrugë të paligjshme, por nga ana tjetër edhe një rrugë pa krye, pasi siç dëshmojnë vetë ata të cilët në fund të kësaj rruge, janë detyruar të rikthehen, përkthehet në kostot individuale e familjare, por edhe të natyrës financiare”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se Shqipëria shpreson se me reformat e ndërmarra në 6 mujorin e ardhshëm të marrë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

Top Channel