Ndihma për përmbytjet, Vlahutin: Mekanizimi i BE-së funksionoi

15/12/2017 14:48

Bashkimi Europian iu përgjigj thirrjes për ndihmë nga Shqipëria për situatën e përmbytjeve.

Dy javë pas vërshimit të ujrave mbërritën ndihmat e radhës. Ato janë pompa, gjeneratorë, batanije si dhe pajisje për ekipet e shpëtimit. Ambasadorët theksuan faktin që mekanizmi i ndihmës së BE-së funksionon më së miri dhe emergjenca në Shqipëri e tregon këtë realitet.

Romana Vlahutin u shpreh: “Kjo ndihmesë na vjen në formë të natyrshme dhe Bashkimi Europian është i gatshëm që të ndihmojë jo vetëm vendet anëtare, por edhe vendet e tjera që janë në nevojë. Një falenderim të veçantë edhe për vendet fqinje të Shqipërisë që nuk janë në BE, por që janë ofruar me ndihmat e tyre”.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka vlerësuar solidaritetin e taksapaguesve europianë për Shqipërinë: “Mbështetja dhe asistenca e ofruar në kohë nevoje është një tjetër demonstrim i solidaritetit të fortë të familjes europiane, por edhe i taksapaguesve europianë. Momente të tilla vetëm sa e forcojnë akoma edhe më shumë miqësinë midis popujve, duke i zgjeruar akoma edhe më shumë mundësitë për ne si politikanë, që kemi për detyrë gjithmonë të zbulojmë një arsye më shumë dhe një mjet më efikas për forcimin e marrëdhënieve midis shteteve fqinje”.

Top Channel