Tahiri, gjykata konfirmon ndalimin. Ish-ministri: Do flas shumë shpejt

15/12/2017 09:34

Me avokatin në krah, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mbërriti tek Krimet e Rënda në orën 9.30 minuta, sipas orarit të caktuar nga gjykata për seancën e marrjes në pyetje.

Gjyqtarja Liljana Baku dëgjoi e pyeti edhe të dyshuarin Tahiri për vendimin në mungesë të shpallur në 9 dhjetor, që e ndalon të dalë jashtë vendit. Duke u shprehur se Saimir Tahiri ka 5 ditë kohë për apel. Gjatë seancës, Maksim Haxhia tha se nuk ka asnjë provë të re, sipas të cilave të kërkohej kjo masë në gjykatë.

Avokati kujtoi se nuk ekziston rreziku i ikjes përderisa rezulton se Saimir Tahiri ka dalë jashtë vendit dhe është kthyer sërish. Në fakt, në një pikë ishte dakord me mbrojtjen edhe prokurori, i cili tha se përderisa Tahiri është deputet i Kuvendit, ai nuk është i rrezikshëm, e rrezikshme është vepra për të cilën ai dyshohet, u shpreh Gentian Osmani.

Për dy episode, atë të përgjimeve ambientale në Itali, ku Habilajt lakojnë emrin e Saimir Tahirit për dhurata dhe për patentat e gjetura në mjetin e Orest Sotës, ish-ministri tha: “Nuk kam asnjë tromaksje sa i takon dy patentave që janë gjetur në makinë dhe që dy persona flasin për emrin tim. Unë nuk do doja t’ ju shikoja ju apo këdo tjetër këtu vetëm sepse gjenden patenta pa patur asnjë provë tjetër. Kështu janë përmendur edhe emra gjyqtarësh, madje i kryetarit të Gjykatës së Lartë për t’u korruptuar”.

Avokati Haxhia shpjegoi më tej: “Zoti Sota dhe familja e tij i ka hyrë biznesit që në 1992. Kjo familje nuk ka probleme me ligjin, kështu që nuk mund ta vëmë para përgjegjësisë pse ka dalë me familjen Sota”.

Për argumentin tjetër të prokurorisë, sipas të cilit Saimir Tahiri njihet me Habilajt përderisa nga sistemi TIMS rezulton të ketë dalë me Audin 003 GB, Tahiri shpjegoi: “Unë nuk kam dalë me mjetin e asnjë krimineli, apo të ndonjë personi që në dijeninë time kishte prbleme me ligjin”.

Ndërsa avokati i tij shtoi: “Ai automjet i është sjellë nga xhaxhai i tij për t’u përdorur”.

Gjykatësja Liljana Baku, pasi dëgjoi të gjitha palët dhe qëndrimet e tyre, tha se vendimi i ndalimit për të udhëtuar jashtë lihet në fuqi, pasi pretendimet e të dyshuarit janë të pabazuara.

Në përfundim të seancës, Saimir Tahiri u shpreh: “Do të flas shumë shpejt”.

“Do ta çojmë në Apel. Kjo gjykatë është kthyer në notere e kërkesave të prokurorisë”, tha avokati Maksim Haxhia.

Top Channel