Vetëm Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani plotësojnë, sipas komisionit të ligjeve, kriteret formale për kryeprokuror të përkohshëm.

Deputetët e Komisionit të Ligjeve shqyrtuan dokumentacionet e ardhura nga inspektorati i deklarimit dhe kontrollit të pasurive, drejtoria e informacionit të klasiikuar dhe Autoriteti i Dosjeve. Por relatori Bled Çuçi u ndal më gjatë tek vlerësimi i Arta Markut.

“Kandidatja Arta Marku është emëruar si prokurore menjëherë sapo ka marrë titullin magjistrat. I plotëson edhe këto kushte që lidhen me integritetin moral dhe profesional. Sa i takon vlerësimit profesional të dhënë nga shkolla edhe magjistraturës edhe gjatë ushtrimit të detyrës nga prokurori i përgjithshëm rezulton se kjo kandidate ka marrë vlerësimin shumë mirë”, tha relatori Bledi Çuçi.

Arqile Koça nuk përmbush kriterin e pasjes së një grade shkencore, Besnik Muçi ka 14 vjet eksperiencë nga 15 që duhen. Më keq, në klasifikim rezultuan Artur Selmani dhe Granit Shahu, sa i përket kritereve morale dhe profesionale.

Zyrtarisht kryeprokurori që do të zërë vendin e Adriatik Llallës do të mësohet të hënën. Pas seancave dëgjimore opozita bojkotoi edhe mbledhjen e miratimit të raportit të vlerësimit të kandidaturave në Komisionin e Ligjeve. Opozita mbështetet te Kushtetuta dhe kundërshton procedurën e nisur prej socialistëve, bazuar në dispozitat kalimtare të ligjit për prokurorinë. Për rrjedhojë kryeprokurori i përkohshëm do të caktohet nga votat e socialistëve.

 

Top Channel