Jeruzalemi, Erdogan kërkon “anulimin” e vendimit të Trump në OKB

15/12/2017 15:25

Turqia po hedh hapin e parë të një nisme në Kombet e Bashkuara për të anuluar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Lajmi bëhet i ditur nga vet presidenti Recep Tayyip Erdogan këtë të premte, teksa ka folur dy ditë pasi udhëheqësit myslimanë u mblodhën në Stamboll për të dënuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump, e duke i bërë thirrje botës të kundërpërgjigjej përmes njohjes së Jeruzalemit Lindor si kryeqytet të Palestinës.

“Ne do të punojmë për anulimin e këtij vendimi të padrejtë, së pari në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e nëse aty përdoret vetoja, atëherë do të kalojmë në Asamblenë e Përgjithshme”, tha Erdogan përpara një turme të mbledhur në qytetin Konya, përmes një telekonference.

Shtetet e Bashkuara janë anëtarë i përhershëm i Këshillit të Sigurimit me fuqi për të vendosur veton, gjë që nënkupton se çdo lëvizje për të përmbysur vendimin e Uashingtonit në këtë Këshill me siguri do të bllokohet.

Jeruzalemi, i banuar nga hebrenj, të krishterë dhe myslimanë, është streha e vendit të tretë më të shenjtë të Islamit dhe ka qenë “thembra e Akilit” të konfliktit izraelito-palestinez për dekada të tëra. Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor në vitin 1967, e më pas e aneksoi atë, por ky veprim nuk u njoh kurrë ndërkombëtarisht.

Vendimi i Trumpit theu politikën disa dekadëshe amerikane dhe konsensusin ndërkombëtar, se statusi i Jeruzalemit do të zgjidhej në bisedimet mes Izraelit dhe Palestinës, duke shkaktuar kështu kritika të shumta nga vendet myslimane dhe aleatët më të ngushtë europianë të Izraelit, të cilët e kanë refuzuar këtë lëvizje.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas samitit të së mërkurës të mbi 50 vendeve myslimane, përfshi edhe aleatë të Shteteve të Bashkuara, thotë se ata e konsiderojnë lëvizjen e Trumpit si një “deklaratë se Uashingtoni po tërhiqej nga roli si sponsorizues i paqes në Lindjen e Mesme”.

I pyetur në lidhje me kritikat gjatë një interviste për të përditshmen izraelite “Makor Rishon”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael tha se Trump bëri “atë që është më e mirë për Amerikën”.

“Presidenti Trump nuk ka ndërmend të bëjë prapaktheu nga vendimi i tij, pavarësisht dënimit mbarëkombëtar dhe deklaratave kundër atij vendimi”, tha ambasadori David Friedman.

Top Channel