“Brexit”, krerët e BE-së bien dakord për kalimin në fazën e dytë

15/12/2017 14:42

Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord që të vijojnë me fazën e dytë të bisedimeve mbi “Brexit”, por bënë thirrje për “qartësi të mëtejshme” nga Mbretëria e Bashkuar mbi synimet e saj të ardhshme.

Bisedimet tashmë do të zhvillohen për marrëdhënien afatgjatë mes Britanisë dhe BE-së. Çështja e parë që do të diskutohet, në bisedimet e muajit të ardhshëm, do të jenë kushtet e një faze të pritshme tranzicioni dyvjeçar, pas shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku europian në mars të vitit 2019.

Theresa May mirëpriti lëvizjen, duke e quajtur si një “hap të rëndësishëm të këtij rrugëtimi” për të siguruar kështu një shkëputje “të butë dhe të ligjshme”.

E ndërsa pranoi “progresin tepër domethënës” të bërë deri tani, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se faza e ardhshme do të jetë “edhe më e vështirë”.

Donald Tusk, president i Këshillit Europian, shkroi në “Twitter” lajmin se 27 udhëheqësit e BE-së ishin të lumtur për kalimin në fazën e dytë, pasi u takuan në Bruksel. Ai inkurajoi kryeministren britanike May për arritjen e asaj që konsiderohet si momenti më madhor i procesit të “Brexit”-it.

May ka thënë se dëshiron që të dyja palët t’i qasen fazës së re të negociatave, që do të përcaktojë formën e marrëdhënieve afatgjata mes Britanisë dhe BE-së, me “krijueshmëri dhe ambicie”.

Bashkimi Europian ka publikuar udhërrëfyesin e tij mbi fazën e dytë të negociatave, ku do të ketë diskutime mbi bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik, por që nuk pritet të fillojnë përpara marsit.

Por, anëtarët e BE-së mund të nisin diskutimet e tyre të brendshme mbi marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë qysh tani, gjë për të cilën “Downing Street” duket se është i kënaqur.

Dokumenti trifaqësh thotë se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet nën juridiksionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe do t’i kërkohet të lejojë lëvizjen e lirë gjatë periudhës së tranzicionit. Veç kësaj, edhe marrëveshjet mbi kufirin irlandez, të ashtuquajturën “faturë të divorcit” dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së në Britani dhe ata britanikë në BE, që morën “dritën jeshile” nga May të premten e kaluar, duhet të “respektohet plotësisht dhe të përkthehen në mënyrë të besueshme me efekte ligjore sa më shpejt të jetë e mundur”.

Top Channel