Bailly, larg fushave për 3 muaj. United hedh sytë nga merkato

15/12/2017 18:01

Forma e jashtëzakonshme e Manchester Cityt në kampionatin anglez ka qenë faktori kryesor në distancimin e skuadrave të të njëjtit qytet në renditje, por veç kësaj, Manchester United ka vuajtur gjithashtu nga dëmtimet.

I fundit që është përfshirë në listë për një tjetër mungesë të gjatë është mbrojtësi Eric Bertrand Bailly, që mungon për “djajtë e kuq” që prej humbjes së 5 nëntorit kundër Chelseat.

Ekipi me bazë në “Old Trafford” shpresonte të rikuperonte mbrojtësin pa nevojën e një ndërhyrjeje kirurgjikale, por tani konfirmohet se ai do t’i nënshtrohet ndërhyrjes që do ta mbajë larg fushave deri në 3 muaj.

“Eric Bailly do të operohet dhe kjo është vendosur. Nuk dua të them që do mungojë për të gjithë sezonin, por është e sigurtë për dy ose 3 muaj”, tha trajneri Jose Mourinho.

Praktikisht, kjo e bën mbrojtësin me ngjyrë të hyjë në një garë kundër kohës për t’u rikuperuar në ndeshjen e kthimit ndaj Sevillas në Champions League, në fund të shkurtit.

“Djajtë e kuq” konfirmuan se mund të bëjnë blerje në merkaton e janarit. Edhe pse Mourinho nuk është nga ata tifozë të tregut dimëror, opsione si Mesut Ozil mund ta joshin portugezin të shpenzojë në një kohë kur nuk e mendonte ideale.

“Nuk më pëlqen të firmos me lojtarë në janar, por nëse do të ishte dikush që do ta merrja në qershor, dhe më ofrohet pak muaj përpara, do të ishte shumë mirë”, tha trajneri portugez.

Top Channel