Zv.Kryeministrja Senida Mesi përfaqësoi Shqipërinë në Paris në Ministerialin e SIGMA-s “Mirëqeverisja publike – ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, konferencë e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ku morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve evropiane, anëtarë të ndryshëm të përfaqësive diplomatike dhe vendet partnere të SIGMA-s.

E pranishme në panelin me temë “Si duhet të transformohen administratat publike në kohë sfiduese për ofrimin e shërbimeve”, Zëvendës Kryeministrja Mesi u ndal tek reforma në administratën publike dhe shërbimet e ofruara për qytetarët shqiptarë.

Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se kjo reformë është një ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare dhe se po zbatohet duke pasur në qendër dhe gjithmonë parasysh qytetarin.

“Jemi më se të përkushtuar dhe do të vazhdojmë të punojmë mbi këtë reformë si një ndër prioritetet kyçe të BE-së dhe do të përmirësojmë më tej shërbimet për qytetarët në mënyrë që të jenë sa më efiçiente, transparente dhe të standardizuara”, shtoi Mesi.

Në kuadër të kësaj konference, Znj. Mesi zhvilloi takime dypalëshe me Ministrin e Informacionit dhe Administratës së Maqedonisë DamjanManchevski dhe Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës Besim Beqaj.

Top Channel